Vizita në shkollën “Ardian Klosi“

YWCA of Albania ishte pjesë e vizitës së znj Afshan Khan, drejtoresha Rajonale e UNICEF për Evropën dhe Azinë Qendrore , zhvilluar në shkollën “Ardian Klosi“. Të pranishëm në këtë aktivitet  ishin përfaqësues të UNICEF Albania, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, ministrja znj. Besa Shahini, mësues, drejtues dhe nxënës.

Në takim, YWCAof Albania prezantoi ndërhyrjen “Shkolla ime është një vend i sigurtë“, që zhvillohet në 20 shkolla të 4 qyteteve (Tiranë, Korçë, Berat dhe Lezhë) me mbështetjen e UNICEF. Ndërhyrja ka si qëllim minimizimin dhe eleminimin e praktikave ndëshkuese për t`i zëvendësuar me teknika pozitive. Duke qenë se qeveria e nxënësve është një nga strukturat kryesore të bashkëpunimit, u prezantuan aktivitetet e zhvilluara me ta me qëllim angazhimin në sjellje pozitive, si dhe krijimin e rregullave sipas 3I-ve, specifikisht I Sigurtë, I Përgjegjshëm dhe I Respektueshëm.

YWCA of Albania prezantoi objektivat që synon të përmbushë nëpërmjet aplikimit të projektit “Shkolla ime është një vend i sigurtë“, që sjell risi në mënyrën e konceptualizimit dhe ndërhyrjes. Së pari, projekti përfshin disa audienca, si nxënës, mësues, prindër, komunitetin apo median me qëllim bashkëpunimin për të krijuar klimë sa më të përshtatshme që mundëson rritje, zhvillim dhe edukim të suksesshëm. Gjithashtu, ndërhyrja nuk fokusohet direkt në sjelljet e dhunshme, por synon zvogëlimin e tyre duke modeluar dhe shpërblyer sjelljet e përshtatshme.

Në takim, drejtoresha e Unicef u njoh me punën që bëjnë struktura të ndryshme për të rritur gjithëpërfshirjen e fëmijëve dhe krijimin e një mjedisi sa më pozitiv, që lehtëson eksplorimin dhe performancën akademike.

Përveç diskutimit me mësues dhe përfaqësues të ministrisë, znj Khan zhvilloi takime edhe me qeverinë e nxënësve, trajnuar paraprakisht nga YWCA of Albania për rolin e senatorëve në promovimin e sjelljeve pozitive në shkollë. Me nxënësit prezantuan veprimtaritë që zhvillojnë, si dhe disktuan arritjet e tyre, mënyrën sesi ndihen në shkollë, vështirësitë, sfidat dhe puna në të ardhmen.

Gjatë vizitës në shkollë, pjesëmarrësit u njohën me hapësirat kushtuar projektit “Shkolla ime është një vend i sigurtë“. Këndi i krijuar përban logo të 3I-ve, modele të kontratave me prindër,  mësues, nxënës, foto të qeverisë së nxënësve, si dhe aktivitete që pasyqrojnë punën e realizuar për  rritjen e sjelljeve pozitive.